Kryeministri i Shqipërisë tha të hënën se samiti i Bashkimit Evropian në Trianë demonstron interesat e rritura gjeostrategjike të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kryeministri Rama do të jetë pritësi i takimit njëditor të martën që synon rindezjen e procesit të zgjerimit të BE-së.
“Është një moment fantastik. Askush nuk mund ta imagjinonte këtë deri dy vjet më parë. Dhe tani po ndodh”, ka thënë Rama në një intervistë për Associated Press.
Rama ka kritikuar më parë BE-në për zvarritjen e saj në pranimin e vendeve të reja anëtare. Gjashtë vendet që janë në fokus të samitit: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia morën garanci për vite me radhë. Por, panë që hapat e tyre drejt anëtarësimit të ngecnin në vend.
Sipas Ramës, lufta në Ukrainë ka dhënë një kujtesë të cenueshmërisë së rajonit. Dhe i ka dhënë BE-së një nxitje për të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrethin demokratik të Evropës. Ai tha se blloku duhet veçanërisht të punojë me Serbinë e cila nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
“Zëri i përbashkët i Ballkanit Perëndimor ka vënë në lëvizje më shumë liderë të BE të punojnë më shumë në rrugën e anëtarësimit. Sepse “ju duhet Ballkani Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, ka thënë Rama.
Kryeministri e quajti takimin e së martës ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke vënë në dukje se vendi ish-komunist deri në vitin 1990 ishte “i shkëputur plotësisht nga bota dhe nga Europa”.
“Samiti do të sjellë shumë për Ballkanin Perëndimor, për vendin tonë, shumë energji pozitive. Shumë shpresë, shumë rrugë të reja, shtigje të reja, që do të përcaktojnë veten në hapat e ardhshëm. Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin jashtë territorit të saj është një “ogur i mirë për të ardhmen”.
Rama pohoi se marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më të mira. Megjithëse ai pranoi se refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës është ende një ‘problem’.
“Por ne jemi në këtë rrugë dhe do të vazhdojmë të shtyjmë për pajtim, normalizim dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë edhe me Serbinë”, tha Rama.