Silueta e biznesmenit Ervis Martinaj u pa për herë të fundit në 7 Gusht 2022 në ambientet e një hoteli në plazhin e Durrësit dhe një ditë më pas në 8 gusht 2022, imazhi i tij është parë në Tiranë në ambientet, e një biznesi që ndodhet në zonën e “Zogut të Zi”.
Më pas nuk dihet asgjë. Kur kanë kaluar katër muaj nga denoncimi për zhdukjen e tij, policia e shtetit dhe asnjë organ tjetër ligjzbatues nuk kanë asnjë provë dhe asnjë përgjigje se cfarë është bërë me njeriun që konsiderohej “mbreti” i basteve.
Drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi pak ditë më parë se hetimet janë në rrugë të mbarë për fatin e Ervis Martinajt.
“Absolutisht policia është në rrugë të mbarë për hetimin e rastit që ju i referoheni. Rama kërkoi zgjidhjen e rastit. Mendoj se jemi në rrugën e mbarë për ta zgjidhur rastin” deklaroi ai, por asgjë konkrete.
Në shtator kur mori detyrën kryeministri Edi Rama i kërkoi që të dilte me një përgjigje të shpejtë nëse biznesmeni ishte gjallë duke inskenuar zhdukjen, sikur aludohet nga një pjesë e ekspertëve që e njohin botën e krimit, apo e kishin vrarë. Por tre muaj duket se drejtorit të ri nuk i kanë mjaftuar.
Familja nuk ka më shpresë. Xhaxhai Faik Martinaj tha pak ditë më parë se nipin e kanë vrarë dhe gishtin e drejtori nga Edi Rama.
“Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënuar, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth.
Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut.
100% 100%, e di kryeministri këtë punë. Po e di unë se në fushatën e prillit të vitit të kaluar, na ka thënë.
Ka dalë në miting dhe e deklaroi: “Unë i them atij drejtorit të basteve…”. “Unë i them atij drejtorit të basteve, betohet, unë ia di targën e makinës, edhe në brimë të miut po u fut, ne do të të gjejmë”.
Edhe e gjeti. Ashtu siç deklaroi edhe e bani, e gjeti. Dëgjo motër, hasmi nuk ka interes me të zhduk xhenazen dhe kufomën, mua baba nuk më ka lënë hasmëri me askënd. Kurse ky qafiri i kombit, Edvini” deklaroi Faik Martinaj.