69% e të punësuarve në Shqipëri hasin në vështirësi në plotësimin e nevojave mujore, një përqindje kjo që është më e larta në Europë dhe me një diferencë të madhe nga vendet e Bashkimit Europian.
Gjetjet janë publikuar në një raport te fundit të Komisionit Europian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet përmes anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende evropiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Pas Shqipërisë renditen vendet e tjera të Ballkanit, që gjithsesi kanë diferencë të lartë me Shqipërinë. Shteti i dytë, ku të punësuarit raportojnë se nuk arrijnë të plotësojnë nevojat mujore është Kosova, me 57% të të punësuarve të ndjekur nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut po në të njëjtat nivele përafërsisht dhe Bosnjë Hercegovina me 54%.
Raporti mat vështirësitë ekonomike në popullatën që është në punë, duke përdorur një tregues të mirëpërcaktuar: aftësinë për të përballuar jetesën.
Sondazhi u kërkoi të anketuarve të vlerësonin aftësinë e familjes së tyre për të përballuar jetesën duke marrë parasysh të ardhurat totale mujore të familjes nga burime të ndryshme në një shkallë prej gjashtë pikësh, nga “shumë lehtë” në “me vështirësi të mëdha”. /monitor