Njëzet e pesë të arrestuarit në Gjermani të mërkurën, të dyshuar për komplot për përmbysje të Qeverisë, i besonin një numri të përzier teorish konspirative, si ideologjitë Reichsbuerger dhe QAnon, thanë autoritetet.
Numrat dhe struktura e lëvizjes “Qytetarët e Rajhut”
Shërbimi i brendshëm i inteligjencës gjermane, Verfassungsschutz, e vuri nën vëzhgim lëvizjen Reichsbuerger apo “Qytetarët e Rajhut” në vitin 2016, pasi një nga anëtarët e kësaj lëvizjeje e kishte qëlluar për vdekje një polic gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij.
Policia e kishte nisur atë operacion për sekuestrim të armëve për gjueti dhe sport, pasi që vlerësohej se ai nuk ishte i përshtatshëm për mbajtjen e armëve si anëtar i grupit “Qytetarët e Rajhut”.
Sot, Verfassungsschutz vlerëson se kjo lëvizje ka rreth 21 mijë anëtarë. Pesë për qind e tyre, apo 1.150 anëtarë, konsiderohen si ekstremistë të krahut të djathtë.
Sipas raportit të kësaj agjencie për vitin 2021, rreth 2.100 anëtarë të kësaj lëvizjeje janë të gatshëm të përdorin dhunë për t’i arritur synimet e veta.
Lëvizja operon kryesisht në grupe shumë të vogla dhe përmes rrjeteve virtuale, por gjithashtu përfshin individë që nuk kanë lidhje me ndonjë strukturë, tha Verfassungsschutz.
Kohët e fundit, asaj i janë shtuar një numër gjithnjë e më i madh i protestuesve kundër masave kufizuese shkaku i COVID-19.
Besimet e “Qytetarëve të Rajhut”
Anëtarët e Reichbuerger nuk e njohin Gjermaninë e kohës moderne si shtet legjitim. Disa prej tyre janë të përkushtuar ndaj perandorisë gjermane, të drejtuar nga monarku, ndërsa disa janë adhurues të ideve naziste dhe të tjerë besojnë se Gjermania është ende nën pushtim ushtarak.
Ata janë të bindur se Gjermania drejtohet nga një grup njerëzish, si anëtarë me ndikim të agjencive qeveritare ose ushtrisë, që manipulon ose kontrollon fshehurazi politikën qeveritare.
Shumë anëtarë të kësaj lëvizjeje refuzojnë pasaportat gjermane pasi i vlerësojnë të pavlefshme, si dhe pengojnë ligjet administrative, duke kërkuar konfrontim me autoritetet dhe ndonjëherë duke përdorur forcën. Një i dyshuar kishte qëlluar me shigjetë ndaj policisë që po ia kontrollonte shtëpinë në vitin 2021.
Disa “Qytetarë të Rajhut” e kërkojnë ardhjen në fron të stërnipit të perandorit Wilhelm II, i cili ishte detyruar të abdikojë në vitin 1918 si pasojë e Luftës së Parë Botërore, si perandor i ri i Gjermanisë. Stërnipi i tij nuk ishte në mesin e të arrestuarve të mërkurën.
Anëtarë të tjerë të lëvizjes “Qytetarët e Rajhut” pretendojnë se Gjermania është ende e pushtuar dhe nën okupim ushtarak. Udhëheqësi i këtij grupi të lëvizjes ishte arrestuar në vitin 2021 pasi publikoi “dënime me vdekje” kundër politikanëve dhe gazetarëve në Telegram, tha Verfassungsschutz.
Aktivitetet e ndjekësve të “Qytetarëve të Rajhut”
Gjykata më e lartë administrative e Gjermanisë hoqi nga detyra një nëpunës civil në vitin 2021, pasi ishte pjesë e lëvizjes Reichsbuerger. Gjykata argumentoi se ai po shkelte detyrimin për t’iu përmbajtur Kushtetutës gjermane.
Nëpunësi civil kishte aplikuar për një pasaportë duke e vendosur shtetin e tij të lindjes si “Mbretëria e Bavarisë” dhe duke iu referuar një ligji të shtetësisë të vitit 1913, sipas raportit të Verfassungsschutz.
Anëtarët e Reichsbuerger, gjithashtu, kanë tentuar të organizojnë mësime alternative shkollore në shenjë proteste ndaj masave kufizuese shkaku i COVID-19 në shkolla. Ata synonin të përdornin tekste shkollore që datojnë që nga koha e Perandorisë Gjermane.
Në vitin 2020, anëtarët e lëvizjes “Qytetarët e Rajhut” morën pjesë edhe në demonstratat kundër kufizimeve për COVID-19, kur protestuesit patën thyer barrierat e policisë para ndërtesës së Parlamentit, Reichstag, në Berlin. Policia arriti t’i ndalë vetëm pasi kishin arritur te shkallët e hyrjes në ndërtesë.
Posedimi i armëve
Në një vend ku posedimi privat i armëve të zjarrit është i rrallë, autoritetet gjermane ishin shprehur të shqetësuara veçanërisht nga dashuria për armët në mesin e anëtarëve të kësaj lëvizjeje dhe janë përpjekur t’ua shpronësojnë atyre armët.
Të paktën 1.050 anëtarë i kanë humbur armët shkaku i aksioneve policore deri në fund të vitit 2021, sipas Verfassungsschutz, ndërsa të paktën 500 të tjerë që besohet se kanë ende armë në pronësi.