Parlamenti zvicerian miratoi me 129 vota pro marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale për këtë lajm të cilin e konsideron të mirë dhe falenderon qeverinë zviceriane.
Po ashtu, Rama thotë se kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i ka premtuar gjatë samitit në Tiranë, që shumë shpejt do të votohet në parlamentin italian marrëveshja.
“Parlamenti zviceran miratoi me 129 vota pro marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë, e cila u firmos në Tiranë më 18 shkurt të këtij viti.
Faleminderit Qeverisë Zvicerane, parlamentarëve zviceranë dhe padiskutim ekipeve teknike të përbashkëta, të cilat punuan pa u lodhur për këtë marrëveshje të shumëpritur për shqiptarët që punojnë e kontribuojnë në Zvicrën mike.
Kryeministrja Giorgia Meloni më premtoi pardje në Tiranë, se shumë shpejt do të votohet në parlamentin italian edhe marrëveshja e shumëpritur me Italinë”, shkruan Rama.