Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka kujtuar 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Begaj thekson se 32 vite më parë 8 dhjetori ndau përfundimisht historinë e shtetit shqiptar dy epoka.
Sipas presidentit, idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi.
8 Dhjetori ‘Dita e Rinisë’, sot 32 vjet nga Lëvizja Studentore!
‘8 dhjetori i 32 viteve më parë i studentëve të Tiranës, do të ndante përfundimisht në historinë e shtetit shqiptar dy epoka. Ai dhjetor, do të ishte i fundmi dhjetor i pushtetit komunist, për të mbetur në histori edhe dhjetori i parë i lirisë në pluralizëm politik, për të mbetur përjetësisht edhe dhjetori që ndezi shpresën për demokracisë. Ndaj, një popull që kishte përballuar aq e aq shumë sakrifica dhe pamundësi, mbushi sheshet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, përmes thirrjes studentore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Mesazhi i kësaj dite është amanet, është mision, është detyrim dhe përgjegjësi. Idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi, me seriozitet dhe përkushtim, në mënyrë që të vazhdojmë pa ndalur rrugën tonë të integrimit euroatlantik. 8 dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.’, shprehet ndër të tjera Presidenti Begaj në mesazhin e tij.
“Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”/ Rama përkujton 8 Dhjetorin!