Pritjet e bizneseve për rritjen e çmimeve shënuan një tendencë rënëse gjatë muajit nëntor, duke dhënë sinjale se vala e fortë inflacioniste mund të qetësohet gjatë muajve në vazhdim.
Vrojtimi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve për muajin nëntor tregoi se bizneset në sektorin e industrisë, tregtisë dhe shërbimeve kanë të gjitha pritje në ulje lidhur me çmimet që do të vendosin në të ardhmen.
I vetmi sektor ku bizneset raportuan pritje në rritje për çmimet ishte ai i ndërtimit, por ky sektor që nuk përfshihet në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin e çmimeve të konsumit.
Të dhënat e muajit nëntor mund të interepretohen si një sinjal pozitiv, që tregon se edhe mes bizneseve po krijohen pritshmëri se vala inflacioniste mund të jetë afër pikut të saj. Një parashikim të tillë kanë artikuluar në analizat e fundit institucionet e specializuara dhe analistët.
Pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësonte se presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë vitit 2023, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024.
Megjithatë, deklarata thekson se ky parashikim mbështetet në pritjet për stabilizimin e çmimeve në tregjet e huaja dhe për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në vend.
Të dhënat e INSTAT treguan se inflacioni në muajin tetor arriti në 8.3%, niveli më i lartë në 24 vitet e fundit. Megjithatë, në dy muajt e fundit shkalla e rritjes është më e vogël dhe kjo ka shtuar shpresën se ndoshta ky cikël i rritjes së çmimeve mund të jetë pranë pikut.
Bankat e Shqipërisë dhe bankat e tjera qendrore këtë vit kanë ndërmarrë një rritje të shpejtë të normave të interesit, që pritet të frenojë kërkesën, duke ngadalësuar rritjen ekonomike, por edhe inflacionit, gjatë vitit të ardhshëm./monitor