Dy anije janë dhuruar nga Bashkimi Europian për Ministrinë e Bujqësisë. Mjetet lundruese do të përdoren nga Inspektorati i Peshkimit, për patrullim. Ato janë të pajisura me të gjitha aparaturat e nevojshme në bord, për një navigim të sigurt.
Në total janë 3 milionë euro që janë ndarë për peshkatarët për të financuar përmirësimin e flotës së peshkimit, pjesë e projektit “Fishigblu”. Nga ky projekt kanë përfituar rreth 90% e peshkatarëve në vend.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë tha se BE do të vijojë të mbështesë këtë sektor, i cili jep një kontribut domethënës në vend.
“E kënaqur të shoh që kemi ndihmuar në përmirësimin e kushteve të punës së peshkatarëve, sigurisë ushqimore dhe uljen e ndikimit negativ në mjedis.
Kjo, së bashku me dhurimin e dy anijeve patrulluese, është një kontribut konkret në përmirësimin e menaxhimit dhe mbrojtjes së burimeve të peshkimit në Shqipëri” deklaroi ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann.