Genti Ibrahimi është betuar paraditen e sotme në institucionin e Presidentit të Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit përkatës të emërimit të tij, gjyqtari Ibrahimi me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u betua para Presidentit të Republikës Bajram Begaj sipas formulës: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Presidenti Begaj i uroi suksese Ibrahimit në detyrën e re të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sokol Binaj, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca përfaqësues të OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.
Ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi plotësoi vakancën e krijuar me përfundimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo në janar të këtij viti. Ibrahimi është zgjedhur mes 2 kandidaturave të tjera, Arta Vropsi dhe Arta Marku, duke u vlerësuar me pikët më të larta. Me emërimin e Gent Ibrahimit, Gjykata Kushtetuese bëhet plotësisht funksionale me të 9-të anëtarët e saj.
Gent Ibrahimi ka mbajtur prej 3 vitesh postin e kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, post për të cilin është akuzuar shpeshherë se është emëruar nga kryeministri Rama. Ibrahimi ka qenë i atakuar nga opozita për lidhje të forta me qeverinë si kunat i ish-ministres Mimi Kodheli.