Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Berisha 1” në 2007, Aldo Bumçi u mor sot në pyetje në SPAK më shumë se një orë si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes së Gërdecit. Por për çfarë konkretisht? Bumçi u pyet për një faks privat që ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishës, për t’i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n çështjen në Gërdec.
Por sot, Bumçi, në dukje i irrituar për praninë e mediave deklaroi se nuk është ai që e ka bërë shënimin në fax dhe akuzoi për falsifikim. Për këtë, ai tha më tej se ka kërkuar disa vite më parë hetimin dhe nxjerrjen e falsifikatorëve. E gjithë kjo histori, sipas tij është ngritur që në 2009 në kohën e fushatës për qëllime elektorale dhe gjithashtu akuzoi se edhe tani po përdoret politikisht.
“U pyeta. Po them çfarë kam thënë publikisht në atë kohë, jo cfarë thash tani aty. Qëndrimet e mia si ministër Drejtësie, janë të dokumentuara si qëndrime publike që kemi mbajtur në atë kohë. Në mbledhjen e parë të qeverisë, vendimi i propozuar nga ministria e Mbrojtjes, nuk miratohet, ministria e Drejtësisë kishte një sërë vërejtjesh dhe vendosen kontakte mes dy ministrive që të merreshin në konsideratë vërejtjet.
Pas këtyre, ministria e Drejtësisë nuk kishte më vërejtje dhe kjo pasqyrohet në qëndrimin që ne i dërgojmë ministrisë së Mbrojtjes (drejtohet nga Fatmir Mediu). Sikur e ka ministria dhe qeveria, përgjigja e dërguar nga ne nuk ka asnjë shënim të tillë (Shkëlzen Berisha). Pasi i kemi çuar qëndrimin tonë “Mbrojtjes” që nuk kemi më vërejtje.
Del një shkesë që ka një shënim në atë për Shkëlzen Berishën, kjo është e falsifikuar. Kronologjia e ngjarjes, ministria e Mbrojtjes e kishte qëndrimin tonë përpara se shkresa të kishte shënimin për zotin Shkëlzen Berisha. Çështja e dytë, nëse unë kisha nevojë, të komunikoja me zotin Shkëlzen Berisha, do ta bëja me fax nga ministria e Mbrojtjes?
Këtë ti mund ta bësh me telefon. Nuk ke nevojë për të çuar fax. Shënimi për zotin Shkëlzen Berisha në cepin e fletës…. Ministri lë shënime për vartësit e tij, punonjësit, dhe këto shënime janë në shkresat e ministrisë, cdo njeri ka shkrimin e tij, por kjo nuk ishte as imitim i shkrimit tim, por tjetër. Unë kam kërkuar që të hetohet kaligrafia. Shkrimi nuk është as imitim i shkrimit tim.
Atëherë të gjitha këto fakte, qëndrimi unë në mbledhjen e parë, kronologjia e ngjarjeve, pse do komunikoja me zotin Berisha përmes ministrisë së Mbrojtjes? Nuk kisha përse ta bëja. Pse prokuroria nuk e ndoqi për të gjetur falsifikatorët. Shkresa nuk është shënimi im. Kjo është përdorim politik, ashtu sikur, kush ju solli juve sot këtu? Unë nuk ju njoftova” tha ai.
Por a ka pasur ai komunikime me Shkëlzen Berishën? “Unë me zotin Berisha, jam njohur në 2004-2005 kur u angazhova në politikë. Takimet e mia kanë strikte për çështje fushakë dhe politike. Nuk i druhem asnjë përgjegjësie ligjore. Erdha këtu si person që kam dijeni” tha ai. Janë të shumtë zyrtarët që SPAK ka marrë në pyetje për tragjedinë me 26 viktima të Gërdecit, por ende hetimet nuk kanë përfunduar.