Partia Demokratike përmes zëdhënëses, Floriana Garo e ka cilësuar turp dhe tallje vendimin e Gjykatës së Posaçme për dënimin me 8.8 vite burg të ish-truprojës së Saimir Tahirit, Hekuran Marku për trafik droge.
Arsyeja? PD e lidh vendimin e djeshëm për ish-truprojën me atë të dënimit të ish-ministrit në shkurt të këtij viti.
“Të dënosh vartësin më shumë se shefin, në një skemë ku ka hierarki dhe implikime shtetërore, është si të dënosh më shumë një ushtar të mafias, se sa bosin e familjes Gambino, John Gotti”.
“Dënimi i vartësit të drejtpërdrejtë me trefishin e dënimit të shefit dhe me trefishin e akuzës është kujtesë e hidhur e politizimit të drejtësisë në Shqipëri.
Nëse ktheheni mbrapa në kohë do iu shfaqet Audi i famshëm A8 i ish-ministrit, me të cilin kushërinjtë e tij, pjesë e një strukture kriminale trans-adriatike kalonte çdo postbllok policor sepse “ishte makina e shefit”.
Të gjithë këta tregues janë provë e pakundërshtueshme, jo vetëm e përfshirjes së ministrit të Edi Ramës, por edhe të rolit drejtues që kishte ai në krye të organizatës.
Saimir Tahiri u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” pas një trysnie të fortë politike.
Kjo sepse Tahiri kishte kërcënuar se do të fliste, duke hapur mundësinë e përmendjes së Edi Ramës” tha ajo.