Dhjetë persona, përfshirë pesë fëmijë, kanë humbur jetën në një zjarr në një pallat pranë Lionit të Francës.
Lajmin e kanë bërë të ditur drejtuesi lokal.
Zyrtarët lëshuan një deklaratë duke thënë se një “zjarr i madh” shpërtheu në një bllok apartamentesh shtatëkatëshe në periferi të Vaulx-en-Velin.
Katër persona janë në gjendje kritike dhe 15 të tjerë raportuan lëndime të lehta, duke përfshirë dy zjarrfikës.
Zjarri tashmë është shuar dhe prokurorët po hetojnë shkakun e tij.
Flakët duket se kanë nisur në katin përdhes përpara se të përhapeshin lart.
“Unë u zgjova nga britmat… ne donim të ndihmonim njerëzit, por tymi ishte shumë i rëndë. Pashë një grua të vdekur… është dramatike,” tha një banor lokal për gazetën Le Progres de Lyon.
Një tjetër banor i tha agjencisë së lajmeve AFP se miqtë e tij kishin kapur një djalë 10-vjeçar, i cili u hodh në siguri nga një dritare e katit të sipërm nga nëna e tij.








