Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zgjidhet mes tre prokurorëve, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Sot rreth orës 10:00 mbërriti në KLP kandidati i parë që shpalosi platformën për kreun e SPAK, Adnan Xholi. Në KLP kanë mbërritur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.
Anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti e pyeti se kur do të arrestohen zyrtarët e lartë që kanë abuzuar për 30 vite.
“Nuk e mendoja se do të konkurronit, vetëm për kohën, mendova se do të shikonit ambientin, pasi dukeni se jeni profesionist egoist në punën tuaj, dhe ja që erdhët.
Nuk më pëlqen fakti, që vini përsëri me një mbiemër superior për prokurorët e SPAK-ut, sepse njësia matëse juaj nuk është statistika, por pritshmëria.
Cfarë pritshmërie do të kemi jo ne, por komuniteti, pasi jeni institucioni më i paguar, më i paguar, më i vlerësuar nga gjithçka tjetër, kush do të jetë përpara publikut përpara të gjithë shqiptarëve, ata që ju do i doni atje ku kanë vendin për këto 30 vite?” pyeti ajo.
Xholi: Nëse më besoni në krye të SPAK-ut do të godas korrupsionin në nivele të larta
Kandidati Xholi u shpreh se nuk mund të arrestojnë zyrtarët vetëm për fjalë, por bazuar në prova. “Unë nga shtatori i vitit të kaluar kam filluar punën efektivisht, kam qenë shumë vite pranë së njëjtës godinë por me emër të ndryshuar.
Në lidhje me superioritetin, e them me bindje dhe përulem me punën që kanë bërë, pavarësisht pritshmërisë për të ndëshkuar këdo që bën një deklaratë nga mëngjesi në darkë dhe ne duhet t’u vëmë prangat.
Në jemi juristë, nëse do të kemi prova që vendosin para dyshimeve se një zyrtar i lartë është i përfshirë nuk do i shpëtojë kthetrave të BKH-së, por jo me opinione dhe fjalë boshe. Duhen këto struktura që të mbledhin prova.
Prokurorët kanë harruar ditët e pushimit dhe oraret zyrtare. Nuk jemi më e mirë paguara, por sa të tjerët. Ne marrim sa ju, dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese.
Pjesa tjetër paguhemi 80% më shumë se të tjerët, pasi kemi hedhur dorë nga privatësia. Kush të dëshirojë le të shkojë dhe të kandidojë” tha ai.
Kandidati për kreun e SPAK-ut: Mora në pyetje kryeministrin, deputetë dhe zyrtarë të lartë