Ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte sot te “Poli i Drejtësisë” për të ndjekur procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, procesin e intervistimit të tre kandidatëve.
Në një prononcim për mediat, Kim u shpreh se ka shumë teori konspirative, por e vërteta sipas saj është që nuk po dikton zgjedhjen e kreut të ri. Diplomatja tha se kërkon vetëm transparencë dhe votim pa ndikim apo kërcënime.
“E shoh që ka shumë teori konspirative që po qarkullojnë. Dua të shpjegoj përse kam ardhur. Ky është një moment i rëndësishëm për reformën në drejtësi dhe SPAK-un. Përse erdha. Erdha për të thënë që ky është një moment i rëndësishëm.
Integriteti i procesit, jo për të thënë kë duhet të votojnë. Nuk ka asnjë mesazh të fshehur. SHBA kanë qenë gjithmonë të drejtpërdrejta me popullin shqiptar. Unë përfaqësoj politikën e SHBA-së. Tre kandidatët shumë të kualifikuar.
Zgjedhja nuk duhet të përcaktohet nga kërcënime apo favore. Është e rëndësishme për personin që do të përzgjidhet në krye, për faktin se ai duhet ta kuptojë që është zgjedhur në bazë të kritereve dhe jo premtimeve për favoreve apo kërcënimeve, që i detyrohet diçka, ndokujt.
Nuk ka ndonjë arsye tjetër që erdha këtu. Ky është mesazhi im. Do ta ndjek afër këtë proces, sa edhe ju” tha ajo. Pas pak shpallet fituesi mes Altin Dumanit, Adnan Xholit dhe Edvin Kondilit.