Pas marrjes së “dritës jeshile” nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ilaçi më i shtrenjtë në botë ka mbërritur në pragun e Evropës.
Sipas gazetës gjermane “Bild” medikamenti “Hemgenix” u miratuar dje edhe nga autoritetet kompetente evropiane.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i ka dhënë miratimin e saj ilaçit i cili është një trajtim i ri për një sëmundje të rrallë të gjakut.
Sipas revistës mjekësore, Nature çdo dozë do të kushtojë 3.5 milionë dollarë duke e bërë atë ilaçin më të shtrenjtë në botë.
Ilaçi “Hemgenix” është një terapi gjenetike për hemofilinë B, një sëmundje e rrallë gjenetike që shkakton probleme në gjak.
Simptomat më të rënda përfshijnë episode të përsëritura të gjakderdhjes që janë të vështira për t’u ndalur.
Deri më tani, trajtimi tradicional kërkonte injeksione të rregullta intravenoze për të ruajtur nivelet adekuate të proteinës që mungonte te pacientët.
Të gjithë hemofilët jetojnë në frikë të vazhdueshme nga gjakderdhja që mund t’u kushtojë jetën.
Por tashmë, falë ilaçit “Hemgenix”, me një dozë të vetme hemofilët me tip B duket se do të mund të shërohen.
Përgatitja është zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane “CSL Behring”, dhe siç komenton botimi gjerman, mund të jetë një “pushim” për pacientët.
Sipas Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) rreth 1 në 20 mijë deri në 50 mijë të porsalindur meshkuj janë të prekur nga kjo sëmundje.
Në SHBA tashmë ka një debat të ashpër për koston e ilaçit, por duket se Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka marrë parasysh se trajtimi mund të kursejë miliona për sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit.
Është vlerësuar se kostoja totale për çdo pacient të rritur me hemofili B të moderuar deri në të rëndë i kalon 20 milionë dollarë.









