Ditën e premte Tirana u trondit nga vrasja e Edmond Papës, i cili u qëllua brenda një lokali te “Komuna e Parisit.”
Por ajo që po trondit më shumë është mundësia e një tradhtie nga të afërmit e viktimës.
Autori kishte dijeni për lëvizjet e shënjestrës pasi kishte informacion për ardhjen e tij dje nga Saranda në Tiranë ku sot kishte planifikuar që të vizitonte nënën.
Madje ka pasur dijeni edhe për vendin ku do të qëndronte duke e pritur poshtë shtëpisë së vëllait.
Dyshimet e policisë janë se atentatori mund të jetë vënë në dijeni për udhëtimin e Papës në Tiranë nga ndonjë i afërm i viktimës.
Pasditen rreth orës 16:30 Papaj që njihej edhe me mbiemrin Hoxha zbriti për të pirë kafe në lokalin poshtë pallatit, killeri u vendos në lëvizje.
Me qetësi dhe i maskuar me kapuç i shkoi brenda lokalit dhe e qëlloi më pas u largua pa tërhequr vëmendjen, por i qetë në trotuarin e rrugës “Fadil Bodinaku”.
Më pas futet në një rrugicë duke kaluar në një “tunel” mes pallateve që të nxjerr në rrugën “Irfan Tomini” duke humbur gjurmët.
Deri në këtë moment kamerat e kanë kapur, pasi zona është e survejuar për shkak të bizneseve të shumta. Grupi hetimor dyshon se killeri nuk ka vepruar i vetëm por me të paktën dy bashkëpunëtorë.
Njëri që ka sinjalizuar lëvizjet dhe për këtë arsye po kontrollohen qelizat telefonike dhe tabulatet për të zbuluar njeriun që mund të ketë spiunuar lëvizjet e biznesmenit dhe tjetri që e ka larguar më pas nga vendi i ngjarjes.









