Sot janë konfirmuar në detyrë nga vettingu tre magjistratë, prokurori Robert Kote dhe gjyqtarët Majlinda Dogga dhe Olkeda Lice.
Gjyqtarja Majlinda Doga e Gjykatës së Tiranës u përball të hënën më 12 dhjetor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për pasaktësitë dhe mospërputhjet në deklarimet e likuiditeteve; për balanca negative në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve.
Gjyqtarja Dogga u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa u evidentuan ankesa të palëve në proces për zvarritje të gjykimit si dhe për gjykimin e një çështje në kushtet e konfliktit të interesit.
Majlinda Dogga e ka filluar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Seanca ka qenë e mbushur me emocione, lot dhe përqafime nga tre subjektet e rivlerësimit dhe familjarët që po prisnin me ankth vendimet.