Qeveria miratoi sot një vendim për t’i hapur rrugën mbrojtjes civile në një tjetër nivel falë kredisë 30 mln euro të Italisë. Kjo kredi parashikon ngritjen e rrjetit në të gjithë vendin dhe blerjen e dy mjeteve ajrore të reja, që janë aq të nevojshëm gjatë verës për fikjen e zjarreve. Lajmin e njoftoi vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pasi struktura e Emergjencave Civile është në varësi të tij.
“Sapo miratuam një vendim, marrëveshje me Italinë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile. Italia u angazhua pas tërmetit për mbrojtjen civile me një financim 30 mln euro në formë huaje. Për pak javë do të ratifikohet në parlament.
Kredia parashikon mbështetjen e mbrojtjes civile. Drejtohet nga agjencia e mbrojtjes civile. Është e shtrirë në të gjithë territorin. Do të ndërtohet një qendër në Tiranë me standardet e fundit. Më pas në të gjithë, 12 prefekturat do të ndërtohen sallat operacionale.
Parashikohet blerja e zjarrfikëseve dhe automjetet e tjera dhe gjithë logjistika për përmbytjet, kërkim shpëtimit, aksidentet, blerja e dy mjeteve ajrore për zjarret, për periudhën e vështirë sidomos të verës për vatrat e zjarrit. Vlerën e mjeteve ajrore nuk mund të them vlerën. Do të ngrihet edhe një kamp trajnimi” tha ai.