Një shtetas grek 39-vjeçar, i biri i një ish spiuni rus akuzohet nga autoritet austriakë se ka spiunuar për agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake GRU.
Ai dyshohet se është trajnuar në Rusi, dhe është vendosur në Austri që prej fillimit të luftës në Ukrainë, si dhe ka transmetuar informacionin që ka mbledhur në Austri për luftën në Ukrainë diplomatëve dhe shërbimeve të ndryshme të inteligjencës, tha sot ministria e brendshme në Vjenë.
I ati i tij ka shërbyer si spiun i Rusisë i vendosur në Gjermani dhe Austri si diplomat.
Ministria austriake e bëri njoftimin pas një hetimi nga shërbimi i brendshëm austriak i inteligjencës “në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar” me vende ose institucione që nuk i përmendi.
Personi në fjalë ndodhej në Rusi pak para dhe gjatë fillimit të pushtimit ushtarak të Ukrainës nga forcat ruse në fund të shkurtit.
Ai është ende në arrati ndërsa rrezikon të përballet me deri në pesë vjet burg për “mbështetje të një shërbimi të huaj inteligjent kundër Austrisë”.