Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve, ngriti katër akuza ndaj ish presidentit Amerikan Donald Trump, në lidhje me sulmin të 6 janarit në Kapitol.
Ligjvënësit kanë sugjeruar që ish-presidenti të akuzohet për komplot me synimin për të penguar funksionin e ligjshëm të qeverisë amerikane, përpjekje për të ndërprerë seancat zyrtare të Kongresit, komplot për dëshmi të rreme dhe kryengritje.
Drejtuesi i Komisionit, demokrati Bennie Thompson, tha se “gjetjet e komisionit mund të shërbejnë si një udhërrëfyes i mirë për drejtësinë”.
Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, që hetonte sulmin e 6 janarit 2021, ka vendosur ngritjen e akuzave penale ndaj ish presidentit Donald Trump. Anëtarët kanë votuar për të miratuar raportin përfundimtar dhe referimet penale kundër ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Përmbledhja përshkruan me hollësi akuzat ndaj ish presidentit që depozitohen në Departamentin e Drejtësisë për pengimin e një procesi zyrtar, mashtrimin ndaj shtetit të SHBA-së, dhënien e deklaratave të rreme dhe dhënien e ndihmës për kryengritje. Komiteti tha në seancën dëgjimore të së hënës, se ka prova të mjaftueshme për të referuar Trump mbi këto katër krime të mundshme.
Një prej anëtarëve të komitetit, u shpreh se raporti përshkruan në detaje veprimet e bashkëpunëtorëve të shumtë që ranë dakord dhe morën pjesë në planin e Trump, për të dëmtuar, penguar dhe mposhtur çertifikimin e fitores elektorale të Presidentit Joe Biden.
Akuzat u referohen incidenteve të dhunshme që ndodhën në Kapitol. Raporti i plotë, është i bazuar në më shumë se 1 mijë dëshmi, dokumente të mbledhura duke përfshirë emaile, tekste, regjistrime telefonike dhe një vit e gjysmë hetim nga komiteti dypartiak prej nëntë anëtarësh.