Seanca e parlamentit pasditen e sotme ka nisur me debate. Shkak është bërë kandidatura e KED-së, Ardian Dvorani për në Gjykatën Kushtetuese. Mazhoranca votoi kalimin për seancë plenare të tre kandidaturave; Mariana Semini, Ardian Dvorani dhe Arta Vorpsi të përcjella nga KED, duke respektuar renditjen e caktuar nga KED.
Sipas ligjit, kuvendit i duhet shumica e cilësuar prej mbi 84 votash në seancë plenare për të përmbysur renditjen e KED. Në të kundërt, Mariana Semini që është renditur e para pritet të jetë gjyqtarja që do të plotësojë vakancën në Gjykatën Kushtetuese. PD është kundër Dvoranit. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi renditi arsyet.
“Sot sillni një kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, që nuk ka kaluar filtrat, ka qenë prokuror dhe ka kërkuar dënim për ata që u ngritën kundër komunizmit në Shkodër. Është në shkelje të Kushtetutës. Ka qëndruar në dy mandate në Gjykatën e Lartë. Është e qartë se kush është qëllimi juaj. Kë po bëni gati të sillni në Kushtetuese. Nuk mund të jetë në atë trupë, pasi e ka filluar karrierën duke kërkuar ndëshkimin e atyre që kërkonin liri dhe demokraci” tha ai.
Por kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla replikoi me Bylykbashin. “Duhet ta lani gojën 100 herë përpara t’i zini me gojë emrin kampionatit të anti-korrupsionit, shpallur nga sekretari amerikan i Shtetit. Ardian Dvorani është kampion i anti-korrupsionit. Dvorani është një gjyqtar i ndershëm. Sulmet nga shërbëtorët e non gratave apo sekretarët e partive, kjo nuk i bën mirë shëndetit të punës së parlamentit” tha Balla.