-sidi education-spot_img
2.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Zëri i Amerikës: Xhaçka s’e përmendi çështjen Çame para ministrit grek

Kryesoret

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi Tiranën në fund të një turi rajonal në Beograd dhe Prishtinë.

Gjatë bisedimeve mes tij dhe ministres së Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, krahas bashkëpunimit për integrimin europian dhe bashkëpunimin ekonomik, u diskutua me shqetësim për zhvillimet në Kosovë dhe në Ukrainë.

Për të dytën herë brenda vitit, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi Tiranën, ku sërish në qendër të diskutimeve ishte çështja e delitimit të zonave detare midis dy vendeve.

Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord para dy vjetësh që ta kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Për këtë palët duhet të përcakojnë paraprakisht pikat e mosmarrëveshjeve mes tyre, për të cilat duhet të kërkojë interpretimin e gjykatës.

“Në këtë kuadër të diskutimit të rrugëve për kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara historike, një nga çështjet e trajtuara ishte edhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje në interes të dy vendeve tona. Të dyja palët kanë vullnetin për kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, theksoi ministrja Xhaçka.

Nga ana e tij ministri grek Dendias kërkoi përsëri hapa konkretë dhe më të shpejtë për ta përmbyllur këtë fazë.

“Diskutuam mbi përshpejtimin e dialogut, mbi bazën e marrëveshjes që ne kemi arritur para dy vjetësh në parim, që të arrijmë në një kompromis, në mënyrë që të vendosim marrëveshjen speciale për dërgimin e çështjes në Gjykatën e Hagës, për sa i përket delimitimit të kufirit si dhe të çështjes së shelfit kontinental”, deklaroi zoti Dendias.

Ai tha se zgjidhja e kësaj çështjeje, zgjidhja e ligjit të luftës dhe dy marrëveshjet e tjera, për shmangien e episodeve në kufi dhe për mirëmbajtjen e piramidave kufitare, do t’i nisin një mesazh komunitetit ndërkombëtar, që e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare e detit është ajo që përbën bazën e të gjitha diferencave ndërshtetërore.

Deklarimet e dy ministrat për zonat detare dhe shelfit kontinental janë të ngjashme me ato që ata bënë disa muaj më parë gjatë takimit mes tyre në Tiranë.

Por atëherë ministri grek përdori paralajmërime kërcënuese ndaj Shqipërisë, pasi ministrja Xhaçka ngriti çështjen e të drejtave të njeriut dhe ato pronësore të komunitetit çam në Greqi. Sot zonja Xhaçka nuk e përmendi sot publikisht këtë çështje.

Të dy diplomatët pohuan mirëkuptimin mes tye për heqjen e ligjit të luftës, zgjerimin e bashkëpunimit, ndërsa shpjeguan qëndrimet mbi situatën në Ballkanin perëndimor dhe më tej, mbi situatën e sigurisë në Europë.

“Ne jemi aleatë në NATO dhe ndajmë të njëjtën qasje strategjike në mbrojtje të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat është ndërtuar siguria e kontinentit tonë, duke dënuar sulmin që u është bërë këtyre parimeve dhe vlerave nga agresioni rus në Ukrainë. Në këtë situatë, integrimi euro-atlantik i rajonit tonë merr rëndësi parësore dhe ky proces duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe Kosovën”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Ministri Dendias tha se sulmi rus mbi Ukrainë është një nga shembujt e anashkalimit të drejtës ndërkombëtare, ndonëse jemi në shekullin e 21. Ndërsa theksoi se Athina mbështet vijimësinë e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, me synimin që të arrihet një zgjidhje tërësore.

“Greqia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e integrimit të Shqipërisë, madje ajo mbështet perspektivën europiane të gjithë Ballkanit perëndimor. Këtë mesazh ajo ia ka shprehur Beogradit, Prishtinës dhe Shkupit. Perspektiva europiane e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është rrugë me një kalim”, theksoi zoti Dendias.

Ai tha se ndërkohë janë shfaqur fuqi të çuditshme, që synojnë kthimin në kohë të tjera, në perspektiva dhe koncepte të tjera dhe për Ballkanin perëndimor, ku sipas tij, ato duan të krijojnë zona ndikimi, të cilat nuk shkojnë mbarë as me perspektivën europiane dhe as me vlerat europiane.

Të dy diplomatët pohuan se ishin marrë vesh për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e shoqëror, si investimet dhe pensionet e shqiptarëve në Greqi, dhe shumë tema të tjera me interes dypalësh, mes të tjerave edhe për mbrojtjen e lumit Vjosa./ VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit