Mediat greke i kanë kushtuar disa artikuj vizitës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në fshatrat e minoritetit në jug të vendit. “In.gr” e ka analizuar edhe në kontekstin e raporteve të ngushta të Shqipërisë me Turqinë dhe rolin e Greqisë në rajon.
“Ankaraja vazhdon përpjekjet për të pasur marrëdhënie të ngushta me Tiranën, ku Athina u dërgon mesazhe të dyja palëve. Kyriakos Mitsotakis do të jetë sot në Himarë, Livadhja dhe Derviçjan në një kohë kur Athina po përpiqet të ketë fjalën e saj për zhvillimet në rajon.
Vizita e zotit Mitsotakis në fshatrat minoritare të Shqipërisë bëhet 31 vjet pas vizitës së fundit të një kryeministri grek, e cila ishte në vitin 1991.
Në atë kohë Derviçanin e kishte vizituar edhe babai i kryeministrit aktual, Konstantinos Mitsotakis. Në fakt, kjo ishte vizita e parë e një lideri të Europës Perëndimore në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.
Kujtojmë se vizita e kryeministrit në rajon ishte planifikuar të realizohej në fillim të muajit, por ajo u shty. Shkak i shtyrjes është bërë moti i keq që goditi zonën dhe nuk ka lejuar udhëtimin me helikopter.
Rast i veçantë
Vizita e Mitsotakis në fshatrat minoritare vjen një ditë pas takimit të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, me homologen e tij, Xhaçka.
Edhe dje, Sali Berisha hodhi një “bombë” në lidhje me marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke thënë se Turqia më pas bëri një “ndërhyrje vërtet të fortë” kur u nënshkrua.
Gjithashtu, pardje u njoftua se u nënshkrua një kontratë për eksportin e dronëve turk BayraktarTB2 në Shqipëri, ku Ankaraja vazhdon të përpiqet të ndikojë në Shqipëri me një sërë lëvizjesh.
Nikos Dendias, duke folur për gazetarët, tha se duke qenë se Shqipëria ka zgjedhur të bëhet anëtare e BE-së, duhet të ndjekë parametra specifikë që do t’i shërbejnë narrativës kryesore të saj.
Në vazhdën e deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndër të tjera tha se “tre dronët turq, që do të mbërrijnë të parët, do të jenë të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast, kurdo dhe kudo që të jetë nevoja”, Nikos Dendias theksoi:
“Shqipëria ka bërë një zgjedhje bazë. Zgjedhja e saj është të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Të bëjë atë që është e vetëkuptueshme, të vendoset në thelbin e fortë të familjes evropiane.
Dhe ne grekët besojmë se është aty. Por kjo nënkupton një sërë parametrash. Këto parametra që duhet të vendosë pala shqiptare, duhet t’i shërbejnë narrativës së saj kryesore”.
Më pas ministri i Jashtëm grek i dërgoi një mesazh të dyfishtë Tiranës dhe Ankarasë: “Dhe më lejoni të sqaroj diçka tjetër. Greqia nuk ka asnjë problem me Turqinë në vetvete.
Por ka një problem të madh me revizionizmin turk, si me çdo revizionizëm. Rrjedhimisht, çdo parametër duhet, nga njëra anë, t’i shërbejë idesë evropiane, nga ana tjetër, të mos lejojë shfaqjen e revizionizmit në rajon”.
A do të jetë Rama me Mitsotakis?
Sipas mediave shqiptare, Kyriakos Mitsotakis pritet të shoqërohet nga Edi Rama në disa prej takimeve, ndonëse kjo nuk është specifikuar në programin e dërguar për vizitën e kryeministrit në fshatrat minoritare.
Megjithatë, ia vlen të nënvizohen dy fakte. Edi Rama ishte ai që paditi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen Greqi-Shqipëri të vitit 2009. Rama u bë kryeministër i Shqipërisë në 2013.
Më pas nisi të diskutonte me qeverinë e atëhershme SYRIZA për demarkacionin e zonave detare. Diskutimet rifilluan pas zgjedhjes së Kyriakos Mitsotakis në vitin 2019, dhe në tetor 2020 Greqia dhe Shqipëria ranë dakord për ta referuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë” mbyllet shkrimi.