Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij vjetor, të enjten, para deputetëve kritikoi pushtetin gjyqësor por edhe politikanët dhe institucionet tjera për praninë e lartë të korrupsionit në Maqedoni të Veriut.
Ai tha se “nuk do të ketë drejtësi derisa të ketë në liri gjyqtarë dhe prokurorë që marrin vendime skandaloze me motive korruptive” dhe e njëjta sipas tij duhet të vlejë edhe për politikanët, që sipas tij janë shkaktarët e humbjes së besimit në organet e drejtësisë.
“Nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por drejtësi nuk do të ketë derisa të jenë të lirë gjyqtarët dhe prokurorët që marrin vendime skandaloze që ndoshta fshihen pas motiveve korruptive”, tha Pendarovski.
“Shteti duhet t’i vendosë kriminelët në burgje të tipit të mbyllur pasi në të kundërtën ata do të vazhdojnë të përdorin paratë e vjedhura nga populli për tu paraqitur para qytetarëve si të ndershëm dhe të virtytshëm. Nuk duhet të ketë vetëm arrestime për publikun, por dënime të gjata me burg dhe kthim të pasurisë së vjedhur. Por duhet respektohet edhe prezumimi i pafajësisë, të mos i dënojmë njerëzit në publik para se të jenë dënuar nga një gjykatë kompetente”, ka deklaruar Pendarovski.
Ai foli edhe mbi nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgarë në të, si obligim që del nga ai që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë./REL