Parlamenti i Spanjës miratoi sot në lexim të parë projektligjin që lejon zgjedhjen e lirë të gjinisë nga mosha 16-vjeçare.
Nëse miratohet nga Senati në javët e ardhshme, ligji do t’i bashkohet Spanjës në grupin e vogël të vendeve që lejojnë vetëvendosjen gjinore përmes një akti të thjeshtë administrativ.
Në Evropë, Danimarka ishte vendi i parë që u dha këtë të drejtë personave transgjinorë në vitin 2014.
Ligji, i mbështetur nga partia radikale e majtë Podemos, u miratua me 188 vota, 150 kundër dhe 7 abstenime .
Me këtë ligj, transgjinorët do të mund të ndryshojnë emrin dhe gjininë në kartën e identitetit duke lënë një takim të thjeshtë me shërbimet administrative.
Ata nuk do të kenë nevojë të kenë mendime mjekësore apo prova që janë duke i nënshtruar terapisë hormonale për dy vjet siç ishte deri tani.
Ministrja e Barazisë, Irene Montero e cila promovoi projektligjin u shpreh se ligji shlyen një borxh historik të shtetit ndaj njerëzve transgjinorë.
I ashtuquajturi “Trans Ligj” do të lejojë adoleshentët e moshës 14-16 vjeç të ndryshojnë gjininë në zyrën e gjendjes civile, me kusht që të shoqërohen në proces nga kujdestarët e tyre ligjorë.
Për më të rinjtë e moshës 12-14 vjeç do të duhet një vendim gjykate siç është sot për të gjithë të miturit.
Në çdo rast, nga paraqitja e kërkesës dhe vlefshmëria e saj do të kalojë një periudhë prej tre muajsh, për t’u dhënë kohë aplikantëve për të konfirmuar vendimin e tyre.
Ndër të tjera, ligji ndalon edhe të ashtuquajturat “terapi konvertimi” që synojnë ndryshimin e orientimit seksual të një personi, me gjoba deri në 150 000 euro.