Një 50-vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës për transport mallrash kontrabandë. 50-vjeçari u ndalua në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, ndërsa brenda furgonit me të cilin po udhëtonte u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte, pa dokumentacionin përkatës.
‘Gjirokastër/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Artikujt”, për goditjen e kontrabandës me mallra. U kap duke transportuar mallra të ndryshme të kontrabanduara, vihet në pranga drejtuesi i furgonit. Vihet në pranga edhe një doganier i Pikës Doganore Kakavije, pasi lejoi kalimin e mallrave, në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Artikujt”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Flamur Gega, 50 vjeç, banues në Fier dhe Thoma Karanxha, 39 vjeç, banues në Kakavije, me detyrë doganier në Pikën Doganore Kakavije.
Shtetasi F. G. u arrestua pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke drejtuar automjetin tip furgon, brenda të cilit u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte, pa dokumentacionin përkatës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. G. i kishte kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Kakavije, pa kryer veprimet përkatëse. Në vijim të veprimeve u arrestua edhe shtetasi Th. K., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasin F. G., për të kaluar mallrat, pa kryer veprimet doganore.’, njofton Policia.