Gazetari Eni Ferhati thotë se i shumëkërkuari, Ervis Martinaj ka pasur tre konflikte të hapura. Ferhati u shpreh se Martinaj ka kundërshtar Ervis Doklen, i cili u zbulua nga dëshmia e Nuredin Dumanit.
Ndër të tjera, gazetari nënvizoi se Martinaj kohët e fundit ishte fuqizuar sa i takon çështjes së pronave dhe mund të ketë sjellë konflikt edhe me nivele të larta të politikës.
“Një nga kundërshtarët e Ervis Martinajt u ekspozua nga dëshmia e Nuredin Dumanit, për të cilin SPAK-u ngriti dhe akuzën, pasi SPAK-u kishte bërë edhe disa verifikime në fakt, duke parë udhëtimin e emisarëve të Ervis Martinajt, që kishin udhëtuar drejt Kosovës, për të takuar pikërisht Nuredin Dumanin për t’i ofruar sasinë e konsideruar prej 500 mijë eurosh.
Në dijeninë time ka pasur një konflikt të hapur edhe me një grup kriminal që operon në zonën e Fushë-Krujës. Ka pasur probleme të tjera edhe me biznesmenë të nivele të ndryshme.
Është lakuar në fakt, jo zyrtarisht që konfliktet e tij të hapura kanë prekur edhe nivele shumë të larta të politikës, sa i takon edhe çështjes së pronave”, theksoi ai.