Pas përfundimit të kontratës së trajnerit të ekipit kombëtar, Edi Rejës stoli i kreut të bankinës ka mbetur bosh.
Ditët kalojnë dhe pritjes po i vjen fundi.
Kjo pasi Federata Shqiptare e Futbollit do të zyrtarizojë edhe emrin e ri që do të pasojë Rejën.
Lista është ngushtuar së tepërmi dhe dy kandidatët përfundimtarë për të marrë drejtimin e Shqipërisë janë Esteban Cambiasso edhe Reinaldo Rueda.
Cambiasso është një ish-futbollist argjentinas me një karrierë mjaft të pasur ku ka veshur fanella me peshë si ajo e Realit të Madridit dhe Interit.
Ai gjithashtu ka përfaqësuar edhe Kombëtaren e Argjentinës.
Por sa i përket eksperiencës, 42-vjeçari ka provuar vetëm pozicionin e ndihmës-trajnerit.
Ndërkohë Rueda vjen me një jetëshkrim të pasur në fushën e trajnimit të ekipeve.
Kolumbiani 65-vjeçar ka përvojë të madhe në menaxhimin e Kombëtareve pasi më parë ka drejtuar Kolumbinë, Kilin, Hondurasin.
Kombëtare me të cilët ka pasur edhe pjesëmarrje në Kupën e Botës apo pozicione të larta në Kupën e Amerikës së Jugut.
Tani mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e FSHF-së.