Policia ka reaguar në lidhje me një ngjarje që ka ndodhur pasditen e sotme në Librazhd. Korrespondenti i Panorama, raportoi se një efektiv policie kishte goditur me grusht një person, ndërkohë policia jep një tjetër version dhe thotë se ka pasur një konflikt mes tre personave.
Në njoftimin e policisë thuhet se sot pasdite është njoftuar salla operative e Komisariatit të Policisë Librazhd, për një konflikt. “Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar shtetasin K. F. që kishte telefonuar dhe shtetasin Sh. D. që ishte konfliktuar me shtetasin F. K”.
Kërcet grushti brenda komisariatit të Librazhdit, efektivi i policisë godet me grusht një person!
‘Në lidhje me një lajm të publikuar në media, në të cilin pretendohet se një punonjës policie ka goditur me grusht një qytetar, në ambientet e Komisariatit të Policisë Librazhd, sqarojmë opinionin publik se lajmi është i pavërtetë. Më datë 27.12.2022, rreth orës 15:15, është njoftuar salla operative e Komisariatit të Policisë Librazhd, për një konflikt.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar shtetasin K. F. që kishte telefonuar dhe shtetasin Sh. D. që ishte konfliktuar me shtetasin F. K. Në momentin që Patrulla e Përgjithshme do të shoqëronte shtetasin Sh. D., 52 vjeç, banues në Hotolisht, ky shtetas i ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, të cilët kanë kërkuar përforcime dhe më pas e kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin Sh. D. Në lidhje me këtë ngjarje po vijojnë veprimet procedurale nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.’, njofton Policia.