Dosja e Ervis Martinajt vazhdon që të jetë kryefjalë. Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj, referuar kontrolleve të djeshme, tha se ndoshta hetuesit kanë në dorë një indicie të re që mbështet hipotezën se Martinaj është gjallë dhe ai ka inskenuar zhdukjen e tij.
Hajdarmataj theksoi se një indicie mund të jetë dhe dekriptimi i mesazhit që Martinaj i ka dërguar familjarëve. Ai shtoi se ky mesazh mund të jetë një ditë mbrapa denoncimit të xhaxhait të tij për zhdukjen dhe kjo mund të ketë sjellë një rrjedhë tjetër për fatin e ‘mbretit’ të lojërave të fatit.
“Nëse denoncimi i xhaxhait të tij është bërë më datën 8 dhe mesazhi është më datën 9 atëherë presupozohet se është inskenuar denoncimi i xhaxhait të tij. Sepse është një ditë më mbrapa.
Kjo mund të jetë një indicie shumë e fortë të cilën hetuesit mund ta kenë marrë tani, nuk e di kur mund ta kenë marrë, mund ta kenë marrë përpara 4 muajsh por dhe së fundmi. Fakti që bëhet publik është i kohëve të fundit.
Nëse do të jetë kjo dhe lëviz një ditë është një indicie që Ervis Martinaj jeton dhe ishalla jeton nga ana njerëzore pavarësisht nga pozita e tij juridike në marrëdhënien me ligjin”, tha Hajdarmataj.