Kryeprokurori i Iranit, Muhammed Jafar Montazeri, paralajmëroi gratë që refuzojnë veshjen e hixhabit ndërsa marrin pjesë në protestat anti-qeveritare, që t’i përmbahen mbulesës së detyrueshme të kokës për “sigurinë dhe shëndetin e tyre”.
Ai tha se Ligji i Sheriatit dhe Ligji i Republikës Islamike të Iranit e obligojnë mbajtjen e detyrueshme të shamisë për gratë dhe tha se “nuk mund të thuhet se hixhabi është çështje personale”.
Më 25 dhjetor, Montazeri pretendoi se propaganda e “shteteve armike” është arsyeja pse gratë shkojnë në protesta pa hixhab, duke kryer kështu një “vepër penale të dukshme”.
Hixhabi u bë i detyrueshëm për gratë iraniane mbi moshën nëntë vjeçare pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Shumë gra iraniane e kanë kundërshtuar këtë rregull përgjatë viteve. Gatishmëria në rritje e grave në qytetet kryesore të Iranit për të shmangur veshjen e hixhabit reflektohet në rezultatet e një sondazhi të publikuar më 13 dhjetor në persisht nga ekipi Iran Open Data, i grupit jo-fitimprurës Small Media me bazë në Londër.
Nga data 17 deri më 21 nëntor, grupi tha se anketoi 5.582 përdorues të internetit në të gjitha 31 provincat e Iranit dhe se tetë nga dhjetë gratë që u përgjigjën thanë se kishin dalë në publik pa hixhab në dy muajt e fundit.