Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në Lushnje duke përfunduar tragjikisht.
60-vjeçarja nga fshati Çinar ka ndërruar jetë në ambientet e Bashkisë së Lushnjes.
Ajo kishte shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse iu ishte hequr ndihma ekonomike.
Gruaja ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.
Më pas 60-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren.
Sapo ka kryer takimin ajo është ndier keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnje. Pas mbërritjes së ambulancës, gruaja kishte ndërruar jetë në vend.
Pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjes ka referuar materialet në Prokurori, për të hetuar shkaqet e vdekjes së 60-vjeçares.
Kjo ngjarje mësohet ka tronditur kryebashkiaken Eriselda Sefa, e cila sipas gazetares, ka kërkuar të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.