INSTAT ka publikuar rezultatet e vitit 2021 të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ). Kjo anketë mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare. Nga anketa ka rezultuar se Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2021 është 22,0%. Duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.2 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2021 është vlerësuar me 191.791 lekë. Në krahasim me 186.242 lekë që ishte në vitin 2020.
Në vitin 2021 janë vlerësuar rreth 622.705 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër. Kundrejt rreth 621.504 individë të vlerësuar në vitin 2020. Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është rritur me rreth 0.2%.
Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Në vitin 2021, ky tregues është vlerësuar 43,9%, kundrejt 43,4% vlerësuar në vitin 2020.
Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha. Trendi në rritje vihet re në të tre grupmoshat, por një rritje më të madhe kanë grupmoshat 18-64 vjeç dhe 65 vjeç e lartë, ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021, në krahasim me vitin 2020, është rritur respektivisht me 0,2 pikë përqindje në të dy grupmoshat. Grupmosha 0–17 vjeç ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2021 me 0.1pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.
Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2021 ka shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 1,1 pikë përqindje ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rritje prej 0,1 pikë përqindje./monitor