Në fund të muajit Dhjetor qeveria njoftoi lajmin për “pakon e madhe” për qytetarët për të përballuar krizën e çmimeve të shkaktuar nga inflacioni. Por kur dhe ku do të tërhiqen lekët që qeveria do t’i japë në dorë? Tre ditët e para të vitit të ri janë pushim për administratën dhe ende nuk ka nisur shpërndarja, por ditën e mërkurë pritet që njoftohet data e saktë.
Megjithatë një gjë është e sigurt, që brenda këtij muaji lekët do të kenë përfunduar në xhepat e qytetarëve. Pensionistët, familjet që marrin ndihmë ekonomike apo invalidët do ta marrin shumën në pikat e postës ose në bankë, pra aty ku çdo muaj tërheqin pensionin, asistencën apo KAMP-in. Administrata shumën, 10 ose 20 mijë lekë në varësi të pagës që merr do ta tërheqë në bankë.
Kush përfiton?
Në total fondi në dispozicion është 8 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Më shumë do të përfitojnë gratë kryefamiljare dhe nëpunësit me paga nën 60 mijë lekë.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë disa kategori, të cilat edhe pse e kanë pagën mbi 60 mijë lekë të reja do të marrin nga 20 mijë lekë të reja dhe ato janë: 430 Punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë; 72 efektivët e Forcave Speciale Delta; 218 efektivë të Forcave Speciale RENEA dhe 253 efektivë të Njësisë së Operacionale dhe zjarrfikësit.
Janë 1 milion shqiptarë që përfitojnë drejtpërdrejtë nga kjo paketa që qeveria e quan pakoja e madhe dhe që lekët do i marrin në dorë. Në këtë paketë nuk janë përfshirë studentët, një kategori që gjithashtu po përballet me krizën e çmimeve.
Kategoria dhe sa fitojnë;
Fondi për pakon e qeverisë 8 miliardë
Gratë kryefamiljare 20 mijë lekë
Administrata (me pagë bruto nën 60 mijë lekë) 20 mijë lekë
Administrata (me pagë bruto mbi 60 mijë lekë) 10 mijë lekë
Pensionistët 8 mijë lekë
Personat me aftësi të kufizuara 8 mijë lekë
Invalidët 8 mijë lekë
Personat me ndihmë ekonomike 8 mijë lekë