Një sulm me armë zjarri në Prizren i ka marrë jetën 31-vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengut si dhe ka lënë të plagosur 27-vjeçarin Rufgen Shehu. Sipas dëshmisë të të plagosurit dhe personit që i ka transportuar me makinë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, pas një konflikti në një lokal nate me disa qytetarë nga Kosova.
Në momentin që 31-vjeçari Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe Arben Basha po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi nga Kosova Dibran Hoxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen në lokalin “Kobra City” në dalje të Prizrenit, sot në orën 04:10. 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve. Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se policia është duke u marrë me rastin.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”. I pyetur nëse ka ndonjë person të dyshuar nga Kosova lidhur me këtë ngjarje, ai tha se organet e rendit janë duke e hetuar rastin.
Ky është Dibrani, pronari problematik i ‘Kobrës’ në Prizren, që vrau 31-vjeçarin kuksian!