Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me kreun e ri të SPAK, Altin Dumani. Selia diplomatike e ambasadës në Tiranë njofton se Kim e uroi Dumanin për postin e tij të ri drejtues në krye të SPAK-ut. Ambasadorja ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Më tej, Kim i ka kujtuar Dumanit, që cilësohet si i preferuari i amerikanëve, urdhrin e Joe Biden për goditjen e zyrtarëve të korruptuar duke i kërkuar që të godasë korrupsionin në nivele të lart.
“Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin” shkruan ambasada amerikane në Tiranë.
Presidenti i SHBA, Joe Biden nxori një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave, që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë tashmë edhe Shqipërinë, dhe zgjeron objektin e saj, duke përfshirë personat, që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Në maj të vitit 2021, SHBA shpalli non grata Sali Berishën për korrupsion dhe minim të demokracisë.








