Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Bulqizë, pasi akuzohet se ka kërcënuar me jetë një 57-vjeçar, të cilit i ka dërguar një zarf me barut në shtëpi, shoqëruar me një mesazh ku e kërcënonte atë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Zogaj, ndërsa rezulton se i riu, i identifikuar si Ramis Markja, më parë ka qenë i dënuar për dhunë në familje.
’24-vjeçari i hodhi pranë banesës, një shtetasi, një zarf me barut në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale zarfi me barut në brendësi dhe letra me mesazhin kërcënues.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se pranë banesës së një 57-vjeçari, në fshatin Zogaj, ishte hedhur një zarf me barut në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zogaj”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 24 vjeç, banues në Shupenzë (i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 24-vjeçari ka hedhur në oborrin e banesës së shtetasit N. Ll., 57 vjeç, një zarf me një sasi të vogël pluhur baruti në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Bulqizë vijojnë punën për zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.’, njofton Policia.