Policia e zbardhi një pjesë të ngjarjes së vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, por kanë mbetur edhe dy mistere. Deri tani është arrestuar Alban Velo 31-vjeç i akuzuar për vrasjen e biznesmenit dhe është shpallur në kërkim Andrew Bode, si bashkë-autor në krim. Por policia nuk arriti që të thotë se përse e vranë Papën.
A ka lidhje me vrasja me bombën që i mori jetën Aleksandër Sadikajt në qershor të vitit të kaluar? I arrestuari dhe personi në kërkim ishin miq të Sadikajt të njohur me nofkën “Sanço”, por a ishte vrasja e biznesmenit hakmarrje për atë?
Kjo nuk dihet. Duke qenë se ende nuk ka dalë me një përfundim, policia po shikon rrugë tjetra duke ngritur pistën e porositjes. A kemi të bëjmë me dy vrasës me pagesë?
Kjo nuk përjashtohet për sa kohë nuk vërtetohet pista tjetër. Për këtë arsye po hetohet edhe në faktin që mund të kemi të bëjmë me vrasës me pagesë. Por kush e dha porosinë? Ndoshta nuk do të merret vesh kurrë nëse i arrestuari nuk pranon që të flasë. Misteri i dytë lidhet një tjetër person të dyshuar që mund të ketë marrë pjesë në vrasje.
Konkretisht, grupi hetimor dyshon se përveç Velos dhe Bodes ka pasur edhe një tjetër person që ka spiunuar lëvizjet e biznesmenit Papa në zonë duke e ndjekur dhe informuar killerat për itinerarin. Autorët pas vrasjes u larguan me një makinë tip “Audi” e cila nuk rezulton e vjedhur por me targa të mbivendosura. Hetimet vazhdojnë.