Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë me dy kërkesa për Jeton Lamin, ish-efektivin e Operacionales të arrestuar pasi shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.
Njëra prej kërkesave është ajo e lejimit për ta marrë në pyetje të ndaluarin, në lidhje me hetimet që organi i akuzës po bën pas kallëzimit të familjarëve të Ervis Martinajt se kanë humbur kontaktet me të. Ndërsa kërkesa e dytë është ajo e lënies në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në caktimin e masës shtrënguese arrest me burg për Lamin.
Jeton Lami, vijon të mbahet në qeli ndërsa gjatë kësaj kohe prokurorët e kanë vizituar tri herë me shpresën se ai do pranojë të flasë rreth asaj që di, për Ervis Martinajn. Lami ka dhënë arsye kontradiktore para prokurorëve, duke shtyrë dëshminë e tij.
Edhe në momentin kur Lami doli para gjykatës së Laçit për tu njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg”, ai nuk pranoi të flasë, megjithëse nga ana e gjykatës, ju dha mundësia për të komentuar akuzat. Agjenti i policisë u arrestua në 24 gusht pasi në dy momente doli nga kamerat filmike, teksa shoqëronte Ervis Martinajn, personin e kërkuar nga prokuroria e posaçme SPAK, për akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve” me qëllim vrasjen e Endrit Dokles.
Por, teksa SPAK-u dhe Policia e kërkonte me qëllim arrestimin e tij, Martinaj është zhdukur në 8 gusht 2022. Në përpjekje për të gjurmuar të kërkuarin Policia dhe Prokuroria e Laçit, zbuloi se ai shoqërohej me agjentin e Policisë, Jeton Lami.