Sot Policia e Shtetit ka arrestuar tre persona dhe dy janë shpallur në kërkim, pasi janë kapur duke mashtruar duke u bërë presione bizneseve me qëllim përfitimin e shumave monetare. Të arrestuarit janë; Erion Lika 41-vjeç, banues në Tiranë, Edmir Jaçe 32-vjeç dhe Gazmir Ismailaj 39-vjeç të dy banues në Vlorë.
Të tre u kapën në flagrancë në Kamëz gjatë tentativës për të përfituar përmes mashtrimit, shumën 13 000 euro, nga administratori i një subjekti privat. Në datën 7 janar 2023 kishin përfituar, po përmes mashtrimit, edhe shumën 12 000 euro.
Gjatë operacionit policor të koduar “Subjekti”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 10 100 euro, 50 000 lekë të rinj, 2 automjete të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, fatura transaksionesh, 6 celularë dhe sende të tjera.
“Grupet për realizimin e qëllimit të tyre, kanë përdorur aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me operatorët ekonomikë, duke u kërkuar donacione në emër të përfaqësuesve vendorë, por jo vetëm” tha policia.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e I. K. dhe F. Gj., bashkëpunëtorë të 3 personave të arrestuar. Pak ditë më parë u arrestuan tre persona nga Shkodra dhe u sekuestruan 142 mijë euro sërish për mashtrim.