Partia Demokratike çoi në SPAK provat e gjetura nga Belind Këlliçi që pretendon se Erjon Veliaj hapi një tender fiktiv me mbi 400 milionë lekë për kompaninë private që do të asfaltonte rrugën ‘John Belushi’ në Tiranë, ndërkohë që punimet do të kryheshin nga punëtorët e bashkisë. Në deklaratën nga SPAK, deputetja e PD-së, Albana Vokshi kërkoi që prokuroria të nisë menjëherë një hetim të thelluar dhe profesional ndaj Erion Veliajt.
“Ashtu sikurse edhe paralajmëruam, kur bëmë denoncimin së bashku me kolegun Strazimiri përpara Bashkisë Tiranë, para dy ditësh. Partia Demokratike ka përgatitur kallëzimin penal për Erion Veliajn për shkelje të rënda ligjore në lidhje me tenderin fiktiv të rrugës ‘John Belushi’ në njesinë administrative nr.4 në Tiranë.
Sikurse ju kemi informuar, tenderi i shpallur nga bashkia në datën 19 dhjetor parashikonte si afat për dorëzimin e dokumentacionit të kompanive të interesuara për këtë tender në datë 9 janar, si dhe shpalljen e kompanisë fituese të këtij tenderi në datë 22 janar. Projekti sipas studimit që është miratuar nga vetë bashkia do të zgjaste rreth 5 muaj, pra fiks deri në periudhën e zgjedhjeve të 14 majit.
Por Erion Veliaj nxiton. Urdhëroi nisjen e punimeve, si gjithnjë fshehurazi, natën, pa tabela, pa projekt, pa një plan, sigurisht dhe pa standarte, por ajo që është më e rënda, në shkelje ligjore, në shkelje të çdo procedure të parashikuar në legjislacionin aktual.
Qartazi një tender fiktiv, dhe një vjedhje e taksave të qytetarëve shqiptarë. Tenderi sipas dokumenteve të publikuara, edhe nga Bashkia Tiranë që ne i kemi vënë në dispozicion edhe SPAK-ut. Tenderi parashikon fondin limit rreth 471 milionë lek që do të vidheshin nga shqiptarët për të përfunduar në xhepat e një kompanie të paracaktuar të Erion Velisë, për t’u përdorur më tej për blerjen e votave gjatë fushatës elektorale.
Pse e themi këtë? Ashtu sikurse Erion Veliaj nxitoi netët e para të vitit të ri për të lansuar nisjen e punimeve të rrugës ‘John Belushi’ të njesisë administrative nr.4, pa përfunduar ende afati i dorëzimit të dokumentacionit, ku ndërkohë shiheshin punonjës dhe makineri të Bashkisë Tiranë, të gjitha të evidentuara, të faktuara djhe të vëna në dispozicion të Prokurorisë fotot e makinerive së bashku me targat. Si prova bashkëngjitur kallëzimit penal.
Pra, ishte gjithçka e planifikuar nga ana e Erion Velisë. Një tender fiktiv. 471 milionë që do të vidheshin, do të shkonin për ndikimin e fushatës elektorale në favor të tij. Ishte denoncimi i kandidatit të opozitës, z. Belind Këlliçi që u bë më datë 5 janar, menjëherë pasi Erion Veliaj nisi punimet në rrugën ‘John Belushi’, i cili ndali këtë vjedhje të rradhës.
Erion Veliaj u kap ne flagrancë. Ai u detyrua që në një intervistë të hënë dje në një prej televizioneve kombëtare të informonte anulimin e këtj tenderi fiktiv. Erion Veliaj u kap nga kandidati i opozitës, Belind Këlliçi, në tentativë vjedhjeje. U kap në flagrancë. Ndaj çfarë bëri? Ndërhyri në dokumentet e tenderit. Ndërhyri në sistem, duke njoftuar edhe anulimin e procedurave të tenderit me arsyetimin që kishte kushte të paparashikuara, apo mungesë fondesh. Pra, kishte ndodhur një emergjencë e paparashikuar nga ana e stafit të bashkisë.
Por çfarë vihet re nga ekspertët e PD të prokurimeve? Vihet re që nuk ka asnjë gjurmë të anulimit. Nuk ka as formular zyrtar, dhe unë këtu me vete kam një kopje të formularit zyrtar, ashtu sikurse duhet të ishte mbushur, edhe zyrtarisht, edhe formalisht në sistem, në mënyrë që të figuronte dhe anulimi i teënderit. Pra, kjo gjë nuk është bërë. Gjithashtu, kujtojmë që paralelisht ka një tender tjetër për supervizimin e punimeve të tenderit të rrugës ‘John Belushi’, i cili deri sot në mëngjes ka qenë jo i anuluar. Ka qenë një tender që vijonte të ekzistonte në sistemin e APP-së ashtu edhe të Bahkisë Tiranë.
Nga nxitimi, Erion Veliaj ka kryer edhe dy vepra të tjera penale: atë të mashtrimit, që gjoja ka bërë anulimin, ashtu edhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Morisë së shkeljeve të Erion Velisë, me fillimin e punimeve kur tenderi ishte në procedurë, iu shtuan edhe dy vepra të tjera penale: ajo e mashtrimit dhe falsifikimit të tenderave. Kjo ishte edhe arsyeja, që kallëzimit penal, SPAK-ut, nga ana e PD, nuk iu bë dot dje, por u punua që të shtoheshin edhe argumentat fakte, dokumentacione, i cili do t’i vihet sot në dispozicion menjëherë pas kësaj konference, edhe SPAK-u si pjesë e kallëzimit penal.
Eron Veliaj dje, si gjithmonë shau, fyeu, kërcenoi opozitën, por sigurisht, ato as na impresionojnë, as na bëjnë që t’i ndalim denoncimet dhe paditë. Unë sot këtu kam përpara jush edhe një kopje të kallëzimit penal, i cili do t’i dorëzohet ashtu sikurse edhe informova menjëhëherë pas kësaj deklarate, do të dorëzohet zyrtarisht në SPAK, së bashku me provat e filmuara, fotografike, apo me dokumentacionet e tjera që i bashkëngjiten këtij kallëzimi.
Sikurse e përmenda, kallëzimi është bërë për Erion Veliajn, aktualisht Kryetar i Bashkisë Tiranë. Është kallëzuar për veprën penale shpërdorim të detyrës, parashikuar në nenin 248 të kodit penal, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike, parashikuar në nenin 258. Korrupsion aktiv në zgjedhje, parashikuar në nenin 328 të kodit penal. Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike, ose zgjedhore parashikuar në nenin 328 të kodit penal. Falsifikimi i dokumentave, parashikuar në nenin 186 të kodit penal. Si edhe mashtrimi i parashikuar nga neni 143 të kodit penal, vepra këto të kryera në bashkëpunim.
Kallëzimi do të dorëzohet, menjëherë. Ka shumë qytetarë që na pyesin: pse ne shkojmë në SPAK? Për sa kohë që ky institucion nuk reagon ndaj kallëzimeve tona, shkojmë në SPAK, sepse edhe pse jemi skeptik ndaj këtij institucioni, të cilin e besuam, e mbështetëm, dhe e votuam, për t’i treguar qytetarëve se PD është institucionale. Shfrytëzon të gjitha instrumentet për sensibilizimin e publikut.
Pas analizës juridike, pas vënies në dispozicion të të gjitha provave filmike, fotografike, etj., ajo që i kemi kërkuar SPAK-ut është regjistrimi dhe fillimi i procedimit penal ndaj Erion Velisë, si edhe personave të tjerë, të identifikuar, apo jo. Si edhe, kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin e saktë e më të plotë të rrethanave të parashikuara më sipër, si edhe paraqitjen e kërkesës për urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive mbi dokumentacionin e këtij tenderi.
Shkojmë në SPAK. E dimë që Erion Veliaj është e keqja e dytë më e madhe pas Edi Ramës. Ai është i rrëzikshëm sepse po na vjedh çdo ditë dhe nuk po dënohet, pavarësisht se ka disa dosje të dërguara në Prokurori, apo në SPAK.
Do të shkojmë në SPAK, mbase për të nxjerrë zbuluar edhe implikimin e drejtësisë. A është thirrur Erion Veliaj qoftë edhe njëherë të vetme në Tiranë për inceneratorin e Tiranës? Zero. Megjithëse se firma e tij është aty për ndërtimin e një inceneratori fantazëm që nuk ekziston.
Me aq shumë para sa ka marrë nga taksat e rritura të familjarëve, të bizneseve, sot qytetarët e Tiranës duhet të kishin një standart shumë të lartë jetese në kryeqytet. Por falë Erion Velisë, Tirana është renditur sërish kryeqyteti me standartin më të ulët të jetesës në Evropë. Në mes të Tiranës kemi akoma gropa, kemi baltë, sepse lekët vidhen. Dhe ashtu po punohet edhe sot që ne flasim. Në rrugën ‘John Belushi’ po shtrohet asfalt elektoral pa asnjë projekt, pa asnjë standart, pa kanalizimet e përshtatshme të ujërave të zeza dhe të bardha, pa ndriçim, trotuare, apo standarte që parashikohen nga vetë studimi i miratuar nga vetë Bashkia Tiranë.
Apeli i PD ndaj SPAK është që të hetojë me prioritet e profesionalizëm këtë kallëzim. SPAK të mos i zvarrisë hetimet, të mos bëhet pjesë e vjedhjes dhe e grabitjes së shqiptarëve. Me këtë kallëzim SPAK ka akoma mundësinë të kthehet në pastruesin e vërtetë të korrupsionit të pushtetit, duke nisur nga Edi Rama, te Erion Veliaj.
PD është për zhvillim, është për ndërtimin e rrugëve me standarte europiane. Jemi pro punëve publike. Jemi kundër vjedhjes së punëve për interes personal, politik të Erion Velisë.
PD është partia që ndërtoi 11 mijë km rrugë kombëtare dhe rurale, Është partia e zhvillimit. Ne do t’i dalim zot qytetarëve shqiptarë të Tiranës dhe mbarë vendit. Ne do t’i dalim zot Shqipërisë”.