Ylli argjentinas, Lionel Messi është dëshira e ekipit arab, Al Hilal i cili është rivali kryesor i ekipit të Cristiano Ronaldo, Al Nassr.
“Mundo Deportivo” në Spanjë bën me dije se klubi arab është gati të ofrojë 300 milionë euro në sezon për Messin, duke rivalizuar Al Nassr që firmosi pak javë më parë me CR7 për 200 milionë euro.
Synimi i shtetit saudit është të hapet me botën, të rrisë turistët që hyjnë në kufijtë e tij dhe këtë po përpiqen ta bëjnë përmes sportit.
Në këtë drejtim, synimi i arabëve është të presin Kupën e Botës 2030 me një ofertë të përbashkët me Egjiptin dhe Greqinë.
Më parë, ata duhet të rrisin shikueshmërinë e ligës së tyre dhe duan ta bëjnë këtë përmes dy yjeve të mëdhenj Cristiano Ronaldos, tashmë në Arabi dhe Leo Messit, të cilin do ta tundojnë me një ofertë marramendëse.
Në Arabinë Saudite po shtohen zërat se Al Hilal dëshiron të marrë shërbimet e argjentinasit dhe do të ishte i gatshëm të bënte një ofertë prej 300 milionë euro në vit.
Një shumë e vështirë për t’u refuzuar, megjithëse mbetet për t’u parë nëse kampioni i botës do të pranonte të transferohej në një vend me zakone të ndryshme dhe një klimë komplekse për sa i përket temperaturave.
Kontrata e Messit me PSG skadon këtë verë por gjithçka do të marrë një përgjigje nga sulmuesi nëse do të rinovojë apo jo kontratën.