Thomas Strakosha mund të largohet nga Brentford gjatë afatit kalimtar të janarit.
Portieri shqiptar nuk po gjen hapësira te skuadra angleze. Ai nuk ka regjistruar asnjë paraqitje në Premier League teksa është aktivizuar vetëm në dy ndeshje në Kupë.
Brentfordi raportohet se është i gatshëm për ta lejuar Strakoshën që të largohet këtë muaj.
Sipas “Sporx”, Fenerbahce ka shprehur interesim për të.
Klubi turk thuhet se është në kërkim të një zëvendësuesi të Altay Bayindir, i cili është kritikuar për paraqitjet e tij këtë sezon.
Bayindir gjithashtu nuk ka raportet e mira me trajnerin, Jorge Jesus, me këtë të fundit që ka dhënë dritën e gjelbër për të gjetur një poriter të ri.
Strakosha është në listën e Jesusit dhe mediumi turk raportoi se zyrtarët e Fenerbahces kanë kontaktuar tashmë me agjentin e reprezentuesit të Shqipërisë.
“Sporx” gjithashtu bëri të ditur se është vetëm çështje kohe se kur do të nisin edhe kontaktet me Brentfordin.
27-vjeçari me klubin nga Premier League ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.
Nuk përjashtohet mundësia që Strakosha t’i bashkohet Fenerbahces në formë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit, kurse në marrëveshje të përfshihet opsioni i blerjes për 5 milionë euro.