Disa ditë më parë vdiq në burg në rrethana të dyshimta Enver Sheshi, i dënuar për skemën e mashtrimit dhe evazionit me inceneratorët. Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi se i janë mbyllur dyert duke krijuar terr informativ për rrethanat e vdekjes.
Sot, Sali Berisha, kryetar i PD-së, tha se Sheshi u vra nga mafia e inceneratorëve, pasi vendosi që të fliste për të treguar të vërtetën e skemës.
“Zhvillimet e ditëve të fundit faktojnë përfundimisht se ky është shteti i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë, errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve.
Menjëherë pas komunikatës zyrtare, e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësave.
Këto të dhëna, këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste.
Dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, e cila ka për kokë direkt, Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve, ta çojë në botën tjetër, dëshmitarin e rrezikshëm. Enver Sheshi kishte shumë të fshehta, kishte dëgjuar shumë dhe i ishte dhënë garanci e fortë për mbrojtje” tha ai.