Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi sot se mësuesi e edukimit fizik në Tepelenë, Kleanth Laçi, i cili u arrestua pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy të mitura është pezulluar nga puna. Pezullimi do të zgjasë deri në momentin që gjykata do te shprehet në lidhje me këtë rast. Nëse shpallet fajtor, ai përjashtohet përgjithmonë nga arsimi.
“Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve.
Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.
Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor.
Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë” tha Kushi.
Mësuesi u dhunua dy ditë më parë teksa për ngjarjen është arrestuar edhe një 29-vjeçar, që është vëllai i një prej vajzave që mësuesi akuzohet se e ka ngacmuar seksualisht. Ai është vetëdorëzuar pranë policisë duke rrëfyer se ishte kthyer nga emigrimi për shkak të ngjarjes.
Related