Policia e Tiranës ka arrestuar një 16-vjeçar dhe D. A 28 vjeç pasi ishin autorë të 5 vjedhjeve.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Recidivistët”.
U arrestua në flagrancë një shtetas 16-vjeçar, banues në Sukth, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. A., 28 vjeç, banues në Vorë, të dy të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e mësipërm gjatë kohës që po tentonin të vidhnin në një magazinë, në fshatin Sakosë. 16-vjeçari është vënë në pranga, ndërsa shtetasi D. A., sapo ka parë punonjësit e Policisë, është larguar.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këra shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera, konkretisht:
– Më datë 13.01.2023, në fshatin Xhafzotaj, dyshohet se kanë vjedhur në një servis makinash;
– Më datë 14.01.2023, në fshatin Marqinet, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit I. P.;
– Më datë 17.01.2023, në fshatin Marqinet, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. K., si dhe në biznesin e shtetasit D. J.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe mjete (pinca, kaçavida) që autorët i përdornin për të kryer vjedhjet”, njofton policia.