Ditën e sotme në pallatin e Brigadave është mbajtur ceremonia e pritjes tradicionale të fillim vitit, me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Në fillim të ceremonisë presidenti i republikës së Shqipërisë Bajram Begaj mbajti një fjalim ku ndër të tjera përmendi edhe konfliktin Kosovë-Serbi dhe theksoi se shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan.
“Si President i Shqipërisë, dua të flas në emër të qytetarëve të vendit tim, e shpreh bindjen kombëtare në paqe, dialog, demokraci, shtetin e së drejtës e vlerat ballkanike e europiane. Në këtë kuptim, shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual.
E ndërsa flasim për konflikt, nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë.
Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit.
Në këto kushte, Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar. Ne mbështesim fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk kemi harruar kush është agresori dhe kë ka agresuar. Nuk harrojmë as vuajtjet e sakrificat e popullit kosovar. Është më e vështirë për qeverinë e popullit të sulmuar, që as ka dëgjuar ndonjëherë ndjesë nga pala tjetër, të ulet në tryezë dialogu.
Është e udhës për qeverinë që ka përgjegjësinë historike të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut.
Gjithsesi, ky është veçse një sugjerim, ndoshta më shumë një urim dashamirës prej vullnetit për të zgjidhur një nga tensionet me potencial konflikti në rajonin tonë dhe dëshirës për kontribut të përbashkët për paqen, demokracinë, e mirëqënien e rajonit.”