Zbutet masa e sigurisë për dy ish-zv/drejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla. Gjykata e Apelit në Durrës ka ndryshuar masën nga arrest në shtëpi në detyrim paraqitje. Vendimi është marrë nga gjyqtari Markelian Koça.
Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, akuzohen dhe janë marrë të pandehur nga prokuroria e Elbasanit, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Deklarimit të rremë para oficerit” lidhur me ngjarjen e dy viteve më parë ku u vra Pjerin Xhuvani.
Punonjësit e policisë që ishin në vendin e ngjarjes, përfshirë dhe dy zëvendësdrejtorët kanë dhënë dëshmi kontradiktore në raport me atë që kanë filmuar kamerat e sigurisë, ndaj dhe prokuroria e ka parë të arsyeshme të kërkojë fillimisht masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për dy zv/drejtorët, por tani është zbutur.
Në 21 prill 2021, në Elbasan mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani (Pipi) dhe u plagosën 4 persona të tjerë Eltjon Bodinaku, punonjësja e policisë Xhensila Sota, dhe dy anëtarët e grupit të mbrojtjes së votës, Emiljano Prenga dhe Pavlo Vuksani. Autori i dyshuar i vrasjes është Arbër Paplekaj.