Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, sot ka bërë të ditur se ka përmbytje të tokave bujqësore, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
Latifi ka treguar se në Gexhë, Xërxë, Malësi e Vogël, Krushë e Madhe, Çifllak ka përmbytje të tokave bujqësore, derisa ka bërë të ditur se nën ujë janë edhe një numër i serrave afër Drinit.
Ai ka deklaruar se do të bëhet regjistrimi dhe vlerësimi i dëmeve.
“Po e shohim nga afër se si niveli i ujit në Drinin e Bardhë është rritur shumë nga reshjet e shiu dhe për shkak të prurjeve të mëdha, kemi përmbytje të tokave bujqësore të mbjella me grurë në fushë të hapur, si në: Gexhë, Xërxë, Malësi e Vogël, Krushë e Madhe, Çifllak…, e nën ujë janë edhe një numër i serrave afër Drinit, me prodhime të gatshme për treg, si: spinaq, qepë, sallata, lakër etj. Shpresojmë se do të bjen niveli i ujit dhe ndërkohë DBPZHR do të bëjë regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve.”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sot ka informuar se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit ditëve të fundit është përkeqësuar si pasojë e reshjeve intensive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit.
Sipas IHMK-së, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të vendit.
Instituti ka bërë të ditur se reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar, duke u bazuar në situatën e vështirësuar hidrologjike, ku lumenjtë kanë dal prej shtretërve të tyre, duke shkaktuar përmbytje.
Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, dje janë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës, si Pejë, Mitrovicë, Istog, Podujevë, Skënderaj. /Kp