Dani Alves është liruar nga UNAM Pumas. Klubi meksikan ka shkëputur kontratën me mbrojtësin brazilian në mënyrë të njëanshme.
Ky vendim nga Pumas vjen pasi Alves u arrestua të premten, nën akuzën për sulm seksual ndaj një gruaje në një klub nate në Barcelonë.
Presidenti i klubit, Leopoldo Silva tha se në klubin që ai drejton nuk tolerohen rastet e tilla.
“Me këtë vendim, klubi përsërit premtimin e tij se nuk do të tolerojë veprime nga asnjë anëtar i institucionit tonë që cenojnë frymën e institucionit dhe vlerat e tij”, tha fillimisht ai.
“Klubi është një institucion që promovon respektin, integritetin dhe sjelljen e drejtë brenda dhe jashtë fushës, të lojtarëve të tij, sepse ata janë një model në shoqëri, në Meksikë dhe kudo në botë dhe ne nuk mund të lejojmë sjelljen e një personi për të dëmtuar filozofinë tonë që ka qenë gjithmonë shembullore në stërvitjen dhe zhvillimin e sportistëve të rinj në vendin tonë”, shtoi Silva.
Dani Alves iu bashkua klubit nga Meksika në korrik të vitit të kaluar dhe ka bërë 13 paraqitje.
Kujtojmë se ndaj 39-vjeçarit është caktuar masa e paraburgimit, teksa hetimet ndaj rastit të tij po vazhdojnë.